Martë, 17 Nëntor 2009 20:43 Freskimi i fundit E Martë, 17 Nëntor 2009 21:10

Rreth revistës Albislam
Hyrje:
Albislami është revistë Islame në gjuhën shqipe, e cila synon përhapjen e diturisë fetare dhe rrënjëzimin e metodologjisë së ehli suneh uel xhemaa, te të gjithë myslimanët e rajonit dhe te ata të cilët hulumtojnë pas të vërtetës. Këtë gjë, revista e bën nëpërmjet materialeve të saja edukative, mësimore dhe analizave të ngjarjeve globale me këndvështrim të thellë fetar.
Albislami po ashtu jep mund të shtrenjtë për të bashkuar myslimanët në rrugën e drejtë, larg grupeve, sekteve dhe pasimit të verbër. Gjatë gjithë kësaj mbështetet në ndihmën e Allahut, subhanehu ue teala, pastaj në udhëzimin e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, dhe në traditën e tri gjeneratave të para të myslimanëve.
Historiku i shkurtër:
Numri i parë i kësaj reviste doli më 29 Gusht 2003. Atëbotë ishte botim i teksteve të publikuara paraprakisht në ueb faqen: www.albislam.com. Ajo kishte nëntë rubrika: aktuale, artikuj,hutbe, tema, gruaja dhe familja, dijetarët dhe mendimtarët, albani, pyetje dhe përgjigje dhe libri.
Albislami është zhvilluar vazhdimisht dhe atë në disa periudha:
Nga numri 45 u bë i veçantë plotësisht nga www.albislam.com, pasi formoi redaksi të re dhe bashkëpunëtorë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Nga numri 60 zgjeroi edhe më shumë redaksinë, sidomos me anëtarë nga Shqipëria dhe bëri riorganizimin e rubrikave, duke i modifikuar dhe duke shtuar të reja. Rubrikat e revistës tani janë: aktuale, këndi im, akide, fikh, avancimi personal, familja, tefsir, hadith, libri, fetva dhe konsultime dhe histori.
Mesazhi i revistës:
Është revistë që i drejtohet mbarë lexuesve të gjuhës shqipe, synon t'i drejtohet logjikës së njerëzve, t'i njoftojë me punët e mira, t'i ngallë dhe t'i zbusë zemrat e po ashtu t'i rritë ambiciet e tyre. Nëpërmjet këtyre, kjo revistë synon të ndërtojë myslimanë:
- me besim të pastër dhe të shëndoshë
- me dije të thellë
- me kuptim të vërtetë të realitetit (situatës aktuale)
- t'i bazojë qëndrimet e tij mbi baza fetare
- në metodologjinë e tij të ndjekë rrugën e tri gjeneratave të para të myslimanëve.
Qëllimet e revistës:
1. Përhapja e besimit të ehli sunetit.
2. Përhapja e diturisë fetare, e cila është e ndërtuar mbi argumente dhe baza fetare.
3. Dhënia rëndësi studimeve të ndryshme, të cilat do të ndihmojnë në këshillimin dhe përmirësimin e popullit tonë.
4. Njoftimi i lexuesve me aktualitetin e myslimanëve në përgjithësi, qoftë në aspektin politik, ekonomik, ideologjik apo pedagogjik duke u munduar në zgjidhjen e atyre problemeve aq sa lejojnë mundësitë.
5. Thirrja në bashkimin e mundësive dhe kapacitetit të myslimanëve dhe thirrja për tu larguar nga fanatizmi lokal, partiak apo grupor (xhemator).
6. Paralajmërim i myslimanëve në përgjithësi dhe i thirrësve (davetxhive) në veçanti nga kampanjat e llojllojshme që organizohen kundër tyre, me qëllim që të kenë kujdes.
Metodologjia:
Albislami është revistë që përmban shkrime e përkthime nga dijetarë dhe hoxhallarë eminent, gjëra të cilat ndihmojnë në gjetjen e mjeteve të qëlluara për të shërbyer veprimtarinë Islame dhe atë, me metoda që bazohen në analiza dhe qartësi, në shprehje dhe në qëllime.
Albislami edhe pse është në gjuhën shqipe, ai nuk bën dallim midis myslimanëve. Nuk pretendojmë se Albislami është zëri i vetëm i myslimanëve shqiptarë, nuk pretendojmë se e drejta e thirrjes Islame na takon vetëm neve. Nuk e refuzojmë të vërtetën ngado që vjen dhe nuk i nënçmojmë zërat tjerë, të cilët punojnë dhe mundohen për më të mirën e myslimanëve.
Albislami është revistë që mundohet t'i eliminojë ballafaqimet partiake (grupore, xhematore) dhe divergjencat personale, të cilat zhdukin ëmbëlsinë e da'vetit. Gjatë gjithë kësaj, Albislami mundohet të sqarojë bazat dhe të vërtetat fetare ashtu si janë.
Albislami është foltore, ku sqarohet e vërteta dhe ngjallet vetëdija. Ndoshta nuk kemi mundësi për të thënë të vërtetën në çdo çështje, por të kotën nuk do ta themi asnjëherë, me lejen e Allahut.
Pozita e Albislamit
Shpresojmë se me ndihmën e Allahut e pastaj edhe me mundin e hoxhallarëve dhe davetxhive në përgjithësi, Albislami ka arritur shkallë të lartë të pranimit dhe besueshmërisë te ata që punojnë për Islam. Albislami do të mundohet që të jetë:
- referencë Islame te shumë njerëz, sepse ajo posedon metodologji të drejtë dhe të thellë Islame.
- burim i pasur dhe i pastër, që u del në ndihmë thirrësve, hatibave, ligjëruesve dhe studiuesve.
- material efektiv për zgjimin e vetëdijes dhe njoftimin me realitetin (aktualitetin) e popullit tonë.
- shtyllë nga shtyllat kryesore në ndërtesën e mediumit fetar Islam.
Omer Berisha
(kryeredaktor)




































